Rrahje mes katër personave në Prishtinë, sekuestrohet një armë zjarri
Katër persona janë shoqëruar në Polici pas një rrahjeje pasditen e së mërkurës në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se personat e shoqëruar, pasi kishin dalë nga veturat e tyre janë përfshirë në rrahje.
Tutje, ajo ka njoftuar se gjatë kontrollit të tyre, është sekuestruar një armë zjarri dhe një thikë.
“Sot rreth orës 16:30, zyrtarët policor, respektivisht njësiti special, kanë reaguar në një rast të përleshjes në mes të disa personave. Rasti ishte në progres në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ku disa persona pasi kishin dalë nga veturat e tyre janë përfshirë në një rrahje.
Ka qenë reagimi i shpejtë policor në vendngjarje edhe i zyrtarëve nga stacioni qendra , ai që ka rezultuar me shoqërimin e katër personave të përfshirë në këtë rast, si dhe sekuestrimin e një arme zjarri dhe një thikë”, ka thënë Ahmeti.