Lajme

Rohde: Refuzimi i planit franko-gjerman, nuk sjell sanksione as shpërblime

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde duke folur për planin frano-gjerman tha se propozimet duhet të pranohen nga partnerët në bisedime.

Ai tha se në këtë dialog duhet të merren vendime në të mirë të dyja palëve.

“Ne japim propozime dhe ato mund të merren ose kundërshtohen “, tha Rohde, duke shtuar se – “në dialog, mes dy shteteve, duhet të arrihen kompromise në të mirë të të dyja palëve, pra të qytetarëve”.

Ai tha se marrëveshjet e mëhershme duhet të zbatohen.

“Ne do të japim ndihmën e përkrahjen tonë që edhe marrëveshjet e  mëhershme të zbatohen, sikurse sa i përket targave, apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

I pyetur se nëse nuk ka kompromise në dialogun Kosovë-Serbi,  a do të ketë sanksione, diplomati i Gjerrmanisë në Kosovë e mohoi një gjë të tillë. “Ne nuk jemi këtu ajo instanca që duhet ta dënojë dikë me sanksione”, u shpreh ai në RTK.

Rohde tha se Gjermania mund të thotë se nëse nuk merren këto propozime, atëherë nuk do të ketë sanksione, por duhet çuar përpara rajonin. “Sanksione ka vetëm si në rastin e Rusisë”, tha Rohde, duke shtuar se nëse disa hapa të caktuar nuk ecin përpara, atëherë nuk ka shpërblime, por megjithatë nuk ka sanksione.

Ai tha se nuk mund të flasë më shumë për planin franko-gjerman sepse për këtë duhet pyetur kryeministrin e Kosovës, Kurti e presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është deklaruar se propozimin franko-gjerman e kanë përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo gjë u konfirmua në konferencën e përbashkët me gazetarë, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe presidentes Ursula von der Leyen.
Der Leyen ka theksuar se ideja është që të ndërtohet një urë për të zgjidhur problemet dhe përshpejtuar procesin e integrimit.

“E kemi integruar këtë gjë [propozimin franko-gjerman] në dialog, pra është shumë e domosdoshme. Bëjmë thirrje për të dyja palët që të ecin më tutje sepse kjo është një urë që po ndërtohet për të zgjidhur një problem që mund të zgjidhet. Është në të mirë edhe të procesit të përshpejtuar të integrimit. Procesi është i bazuar në meritë”, tha Der Leyen.

/Shqip.com