Lajme

Rizvanolli: S’mund ta refuzojmë propozimin për rritjen e çmimit të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, deklaroi të premten se në situatën me energji elektrike në të cilën ndodhet vendi, ekzistojnë vetëm dy opsione: reduktimet e ashpra ose rritje të tarifave.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ajo tha se ndonëse Kosova është shtet i varfër, prodhuesit e energjisë nuk pyesin, prandaj sipas saj, duhet të paguhet me çmimin siç është në bursën ndërkombëtare.

Rizvanolli shtoi se nuk e kanë mundësinë që ta refuzojnë rekomandimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimeve.

“Çka mund të bëjmë ne është ajo që e kemi bërë, kemi zotuar subvencion që e zbutë ndikimin te konsumatorët dhe bizneset. Në këtë krizë nuk jemi të vetmit, çmimet pritet të rriten në pranverë mbi 40 për qind në Britani e Turqi”, u shpreh më tej ajo.

Ministrja potencoi se keqinformimi, siç e quan ajo, i qëllimshëm apo i paqëllimshëm lidhur me situatën, ka mbjellë frikë e panik te qytetarët. Andaj sipas saj, këtë frikë kanë dashur ta evitojnë përmes subvencionimit.

“Keqinformimet kanë mbjellë frikë e panik te qytetarët, këtë panik kemi dashur ta evitojmë përmes subvencionimit të hershëm sepse qytetarët nuk kanë mnevojë më shumë dramë e brenga”./SHQIP.com