Ekonomi Biznes

Rizvanolli: Konsumi i rrymës gjatë këtij viti është ulur

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se konsumi i energjisë elektrike gjatë këtij viti është ulur në Kosovë. Sipas saj, gjatë muajit nëntor të amvisëritë ka ulje të konsumit prej 15 % në krahasim me vitin e kaluar.

“Konsumi për gjatë këtij viti është ulur. Gjatë muajit nëntor në amvisëritë është ulur për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Po flasim për dhjetëra milionë kursime si pasojë e kësaj. Para rreth një muaji, është vlerësuar se gjatë muajit të dimrit duhet të importohet 20 për qind energji elektrike. 300 milionë euro na duhen për të tejkaluar dimrin. Por si pasojë e kursimeve, parashikimet kanë ndryshuar”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo në një konferencë për medie ka folur edhe për Planin e Veprimit për Pakon Emergjente nga Bashkimi Evropian, ku shtoi se janë paraparë gjashtë masa.

“75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, rreth 43 euro për kokë banori. Ministria e Ekonomisë bashkë me institucionet tjera ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si rezultat i kësaj në mbledhjen e sotme të qeverisë kemi miratuar planin, ku janë gjashtë masa në total”, ka thënë Rizvanolli.

Në vazhdim, ajo është shprehur se “Qeveria e Kosovës ka vazhduar me tri masave që i dedikohen qytetarëve për tejkalimin e krizës energjetike. Subvencioni i faturave për të gjithë familjaret dhe bizneset, që ka filluar nga muaji shkurt, ka vazhduar. Subvencioni i parë vlen për të gjithë konsumatorët familjar dhe bizneset, ai nuk mund të shihet në fatura por në kalkulatorin që KEDS ka prezantuar, derisa subvencioni i dytë është për të gjithë qytetarët që kanë kursyer energji elektrike, e që ka filluar nga muaji shtator, ku në muajt në vijim vazhdojnë pagesat tjera”.

“Në thirrjen e parë të subvencionimit për ngrohje kanë përfituar 2,271 familje dhe shumë e disbursuar është mbi 1.4 milionë euro. Sa i përket subvencionimit të faturave të energjisë, deri më tani janë ndarë 57.84 milionë euro, ndërsa 7.51 milionë euro pritet të distribuohen”, ka përfunduar Rizvanolli.

/Shqip.com