Kulturë

Ribotohet Monografia “Gjuha e Jakov Xoxës”, e autores Shefkije Islamaj

Monografia "Gjuha e Jakov Xoxës", e autores Shefkije Islamaj
Monografia "Gjuha e Jakov Xoxës", e autores Shefkije Islamaj

Në shenjë të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Jakov Xoxa, Shtëpia Botuese “Artini” ribotoi Monografinë e autores Shefkije Islamaj “Gjuha e Jakov Xoxës”, pas 23 vitesh të botimit të saj të parë (2000, IA).

Shefkije Islamaj, autore e Monografisë “Gjuha e Jakov Xoxës”

Viti 2023 është shpallur Vit i Jakov Xoxës.

Në shenjë të këtij ribotimi, autorja Islamaj sjell katër fragmente të shkurtra nxjerrë nga romanet “Lumi i vdekur” dhe “Lulja e kripës” të Xoxës, për të ndier edhe më këtë rast, për së afërmi, magjinë e gjuhës dhe stilit të tij.

“Në këngë e sipër Adilit iu duk sikur yjet e largëta u afruan, siç afrohen në netët e verës përmbi majat e majave të Kosovës, ku blegtorët kanë ngritur stanet; sikur fletët e drunjve u ngritën nga toka ku i kishte varrosur vjeshta dhe gjethuan pyjet siç gjethojnë korijet pranverës në Kosovë; sikur nga toka baltë, ku ishte ulur, hapën gojë me qindra kroje, që rodhën e lëshuan degët arave në ujë të kulluar, si ai loti që po i mblidhej te bishti i syrit…”.

Jakov Xoxa – “Lumi i vdekur”

“Erdhi një kohë kur vendgropimi i të vdekurve u bë më i madh se vendbanimi i të gjallëve, nafariotë, numri i kryqeve më i shumtë nga numri i oxhakëve dhe s`mbeti vend në ishull të vogël, të rrethuar nga ujërat e kripura, ku të ngreje banesë a varr të ri. Dhe qëllonte shpeshherë dimrave të fortë, kur fryhej gjoli nga bura e detit, të përmbytej fshati i të gjallëve dhe varrezat e të vdekurve. Në raste të tilla fatkeqe të gjallët e mbytur groposnin me shumicë në dhe, kurse të vdekurit e groposur dilnin me shumicë mbi dhe. Kështu, kufomat e të mbyturve, të ish peshkatarëve të gjallë naforiotë përziheshin e shëtitnin mbi gjol së bashku me skeletet e ish naforiotëve të vdekur. Ishte një pamje thotë legjenda, me të vërtetë nqethëse”.

Jakov Xoxa – “Lulja e kripës”

“Kosovari kishte një copë herë që po ngrinte e po ulte sytë, duke parë herë myzeqarin, herë briskun që shkiste mbi faqen e duhanit e mund t’i rëndonte dorën. Deshi të lëvizte, t’i vinte pranë e të lidhte kuvend me të. Por, sa i zorshëm qenka takimi me këta fusharakët, me këta njerëzit e bregut të detit!… Shqiptari ishin vërtet edhe këta, të një balte e të një gjaku, po sa ndryshe visheshin, sa keq e vërtisnin gjuhën brenda në gojë, aq sa ai, bir Kosove, nuk ua merrte vesh mirë fjalën, sa të mbyllur e tinzakë që ishin!… Kështu i ishin dukur myzeqartë ata dy ditë që kishte mbetur në han  duke vajtur lart e poshtë nëpër Fier, nga një zyrë në tjetrën, për të rregulluar punën e truallit ku do të ngrinte shtëpinë dhe çështjen e dynymëve që do t’i jepeshin si tokë buke. Kjo mospërfillje e përbuzje që pati nisur t’i mblidhej në zemër muhaxhirit, siç mblidhet ujët në gropë, i kish rënduar atij vetulla e buzë edhe e kishte bërë që të shikonte shtrembër e me gjysmë syri myzeqarët, me të cilët do të rronte paskëtej në fqinjësi… Por, Sylejman Tafili e ndieu veten të pazot për ta urryer e përbuzur këtë vendas, në fatin e të cilit ai shikonte fatin e vet. Si gjithë njerëzit, të cilët, përballë të njëjtit short të jetës, përpara vuajtjeve dhe shpresave të njëjta, bashkohen e duken, ashtu edhe ky kosovar shtatmadh, me mystaqet e lëpira përpjet-përpjet me qelipoqen e bardhë hedhur mbi sy, sikur të ishte ai zot i kësaj fushe të gjerë mbetur pa zot, e ndjeu veten vëlla me vendasin e pikëlluar, që po priste, me takijen në duar, t’i shtoheshin atë ditë mjerime të reja”.

“Çdo gjë me dorë në qese: edhe ujin, duke qenë në mes të ujërave; edhe peshkun duke qenë buzë gjolit e buzë detit; edhe vajin duke qenë bri pyjeve me ullishta; edhe kripën, duke qenë në mes të kripores; edhe verën, ndonëse rrethoheshin me vreshta; edhe bukën, megjithëse pranë fushës”.

/Shqip.com