Lajme

Reuters: Osmani e Vuçiq përplasen në samitin e Moldavisë rreth gjendjes në veri

Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë këmbëngulën të enjten se duan të zbutin krizën në veri të Kosovës, por treguan pak shenja të tërheqjes nga pozicionet e tyre kundërshtare.

Me të arritur në një samit në Moldavi, me më shumë se 40 liderë evropianë, Vjosa Osmani e Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë nuk e përshëndetën njëri-tjetrin edhe pse qëndronin vetëm disa metra larg.

Të dyja palët janë nën presionin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje pas një linje të gjatë krizash mes qeverisë etnike të Kosovës të dominuar nga shqiptarët dhe minoritetit serbë që janë shumicë në veri.

Dhuna u ndez të hënën pasi autoritetet e Kosovës, të mbështetura nga njësitë speciale të policisë, vendosën kryetarët shqiptarë etnikë në zyrat në komunat veriore. Kryetarët e komunave ishin zgjedhur me pjesëmarrje prej vetëm 3.5 për qind të votuesve pasi serbët bojkotuan zgjedhjet lokale.

Osmani tha se Beogradi po përpiqej të destabilizonte Kosovën pasi nuk kishte arritur të pajtohej me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga Serbia.

“Të gjithë e kuptojmë se kërcënimi i vërtetë në fakt vjen nga mohimi i Serbisë për ekzistencën e një shteti sovran të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo akuzoi Vuçiqin për mbështetjen e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat sipas saj ishin përgjegjëse për përleshjet që plagosën 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s dhe 52 protestues serbë.

“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale në Kosovë. Kjo është ajo që ai duhet të bëjë nëse dëshiron vërtet paqe. Ai ende nuk e ka treguar këtë”, tha ajo.

Serbia e ka hedhur poshtë këtë akuzë. Pas arritjes në samitin që po mbahet në Moldavi, Vuçiq ishte më pak i ashpër në retorikën e tij krahasuar me të parën e shtetit të Kosovës, raporton Reuters.

Ndryshe, Osmani dhe Vuçiq janë takuar veçmas me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian, një organ prej më shumë se 40 vendeve.

/Shqip.com