Lajme

Reuters: Kosova s’ka helikopterë, po i kërkon NATO-s që të transportojë serbin e arrestuar

Kosova u ka kërkuar trupave të NATO-s që të transportojnë një ish-polic serb, i cili u arrestua dy javë më parë.

I arrestuari nuk po mund t transferohet diku tjetër sepse serbët që jetojnë në veri kanë ngritur barrikada, duke e kërkuar lirimin e tij.

Dejan Pantiç u arrestua më 10 dhjetor me akuzën e sulmit ndaj oficerëve të policisë në shërbim gjatë një proteste të mëparshme.

Tensionet kanë qenë të larta që atëherë ndërsa mijëra serbë të Kosovës protestojnë, duke kërkuar që qeveria e vendit me shumicë shqiptare të tërheqë forcat e saj policore nga veriu, ku është përqendruar pakica serbe.

Serbët vendas, të cilët janë rreth 50 mijë, përsëritën në një protestë të enjten se nuk do të heqin bllokimet e rrugëve nëse Pantiç nuk lirohet.

“Ai (Pantiq) duhet të jetë në qendrën e paraburgimit dhe jo në stacion policor dhe për këtë kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë që ta transferojnë në një objekt adekuat”, tha ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla në një konferencë për shtyp në Mitrovicë, vetëm disa kilometra larg barrikadës së parë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është e vetmja forcë që ka helikopterë në Kosovë. KFOR-i ka transportuar tashmë nëntë policë në ditët e fundit, të cilët ishin të sëmurë.

Lexo edhe:
Sveçla flet sërish për barrikadat: Nëse KFOR-i s’mundet, do t’i heqim ne

Forca e NATO-s, e cila ka më shumë se 3 mijë trupa në terren, është autoriteti i vetëm për të vendosur mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

“Çdo kërkesë që është refuzuar ishte për shkak se në situatën aktuale, nuk ishin kushtet e nevojshme të sigurisë”, tha KFOR-i në një deklaratë me shkrim për Reuters.

Ministri Sveçla tha se forcat e tij policore mund t’i heqin barrikadat, por se ai dëshiron që serbët lokalë ose trupat e NATO-s t’i largojnë vet ato.

“Për hir të stabilitetit ne presim që ata të largohen nga ata që i kanë ngritur apo KFOR-i, por edhe pritja e ka fundin”, tha ai.

Qeveria e Kosovës më parë ka thënë se njerëzit në barrikada janë të armatosur dhe çdo ndërhyrje e policisë mund të dëmtojë njerëzit nga të dyja palët.

Kryetarët serbë etnikë në komunat veriore, së bashku me gjykatësit vendas dhe rreth 600 policë, dhanë dorëheqje muajin e kaluar në shenjë proteste ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të lëshuara nga Prishtina.

/Shqip.com