Kulturë

Restaurimi i Kullave të Jasharajve pritet të zgjasë disa vjet

Restaurimi i Kullave të Jasharajve pritet të fillojë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kështu ka deklaruar për Shqip.com, Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorial, Bislim Zogaj.

“Tani jemi duke e përgatitur se si do te realizohet projekti, po shpresojmë që deri në pranverë ta kemi projektin e përgjithshëm dhe ta kemi fillimisht konservimin e kullave të Jasharajve pastaj në kontekstin e përgjithshme të memorialit”, tha Zogaj.

Zogaj tha, se pas rishqyrtimit të ekspertëve kullat nuk janë në rrezikshmëri të lartë të dëmtimit

“Ekspertët nga fakulteti teknik kanë vlerësuar që të edhe këtë vit mund t’i përballojnë kohës për një kohë dhe nuk paraqesin rrezik të shembjes. Ndërsa disa objekte në fillim të qendrës kanë qenë në gjendje më të vështirë dhe jemi obliguar që të bëjmë disa ndërhyrje emergjente”, tha tutje ai.

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

Ndërkaq, sa i përket buxhetit që do të kushtojë projekti Bislimi tha se kostoja pritet të jetë mjaft e lartë.

“Realizimi i këtij projekti do të ketë një kosto bukur të madhe sepse kemi një projekt gjigant sepse përveç kullave do të kemi edhe një muze. Realisht shuma do të jetë dhjetëra milionëshe, sa nuk i dihet, sepse për momentin kemi vetëm detyrën projektuese”, u shpreh tutje ai.

Zogaj po ashtu bëri të ditur se projekti do të marrë kohë deri në realizimin final.

“Ky projekt nuk do të realizohet për një vit dy e tri, mund të zgjasë disa vjet më shumë, sepse është i madh por mund të shpresojmë se në vitin 2023 do t’i kemi kullat e konservuara”, tha ai.

Ai tha se ky projekt do të jetë shumë dinjitoz dhe do të sjellë dyfishin e vizitorëve nga jashtë.

/Shqip.com