Lajme

Reporterja për Shqipërinë në PE: Keqardhje për reagimin e Greqisë ndaj çështjes “Beleri”

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos ka shprehur keqardhje të mërkurën, lidhur me reagimin e Greqisë ndaj çështjes “Beleri”.

Sipas saj, përfundimet dhe deklaratat duhet bëhen pasi të flasë drejtësia.

Në një konferencë për shtyp, Santos deklaroi se ndihet e keqardhur nga përmbajtja e deklaratave të bëra nga Greqia pasi sipas saj, me “aq sa di, autoritetet gjyqësore po bëjnë punën e tyre dhe se është një çështje që lidhet me zgjedhjet”.

“Duke qenë se çështja nuk është mbyllur nga organet gjyqësore, duhet të presim vendimin e gjykatës, pasi është në proces gjyqësor.

Nëse të gjitha vendet do të sanksiononin apo të bënin të tilla deklarata kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor, bota do të ishte e tmerrshme”, tha Santos.

Raportuesja theksoi se do të dilet në përfundime pasi të flasë drejtësia.

“Po e ndjek çështjen, jam mjaft e vëmendshme ndaj saj. Po i ndjek informacionet, por ajo që mund të them është se po pres për vendimin”, nënvizoi Santos.

Fredi Beleri, ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 2023 në Himarë. Ai u arrestua më 12 maj, 2 ditë para se të zhvilloheshin votimet me akuzën për “korrupsion zgjedhor”.

Beleri është shpallur fajtor nga drejtësia dhe është në pritje të vendimit të formës së prerë.

/Shqip.com