“Refuzoi gazin amerikan”, Haradinaj kërkon sërish dorëheqjen e Kurtit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Në seancën e Kuvendit të së hënës, ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti për projektin e gazit, duke thënë se “ka refuzuar 200 milionë eurot e presidentit amerikan Joe Biden”.
Po ashtu ka kundërshtuar marrëveshjen për targat të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke thënë se “dëmet e këtyre dy vendimeve do t’i përjetojmë dhe do të përballemi me to më vonë”.
“Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën. Njëra është marrëveshjet për targa dhe tjetra është refuzimi i projektit të gazit. I ka thënë jo Amerikës, por edhe partnerëve të tjerë si BERZH. MCC ka shpenzuar mbi 3 vjet dhe 10 milionë dollarë për studimin e fizibilitetit të gazit, ka angazhuar inxhinierë të ushtrisë amerikane dhe këta ekspertët e Qeverisë tonë i thanë jo”.
“Nuk i besuan inxhinierëve të ushtrisë amerikane. Kurti i tha jo Amerikës, refuzoi 200 milionët për Bidenin. Kjo është e dëmshme. Thirrja për dorëheqje e kësaj Qeverie është legjitime, por paraprakisht duhet ta kthejnë projektin për gazin”, është shprehur Haradinaj./SHQIP.com