Lajme

Refuzohet kërkesa e Doganës për hapjen e terminalit të ri doganor në Gjilan

Dogana e Kosovës dhe qeverisja komunale e Gjilanit kanë diskutuar për mundësinë e hapjes së një terminali doganor në këtë qytet.

Dogana e kishte paraparë që lokacioni për ndërtimin e terminalit të realizohet në afërsi të fshatit Shillovë.

Ata kanë kërkuar sqarime nga komuna nëse parashohin ndonjë projekt zhvillimor në lokacionin ku parashihet të ndërtohet terminali i ri.

Drejtori i kadastrit, Bekim Salihu deklaron se ata kanë pasur takime me përfaqësuesit e doganës ku është diskutuar kjo çështje.

Ai deklaron se prona në të cilën është paraparë të ndërtohet terminali i ri është në menaxhim të Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

Thotë se dogana duhet të mendojë për gjetjen e një lokacioni të ri për ndërtimin e terminalit në rast se lokacioni është pjesë e planeve rregulluese të komunës.

“Po ata përfaqësuesit e Doganave të Kosovës e kanë një lokacion dhe na i kanë dërguar me pa atë lokacion nëse komuna e ka ndonjë plan ose diçka ne kemi dërguar kërkesën në urbanizëm dhe jemi duke pritur kërkesën e drejtorisë së urbanizimit në lidhje me lokacionin. Ne kemi shqyrtuar vetëm nëse komuna ka ndonjë plan rregullativ ose ndonjë projekt në atë parcelë dhe këtë duhet t’ia konfirmojmë doganës së Kosovës. Pra nëse ata munden me vazhdu me projektin ose duhet të gjejnë ndonjë lokacion të ri”, ka thënë ai.

Gazeta ka kontaktuar me drejtorinë e Pronës, Kadastit dhe Gjeodezisë dhe në përgjigjen e tyre për Shqip.com ata kanë pohuar se terminali nuk mund të ndërtohet në atë lokacion ngase është pjesë e planeve rregulluese.  

Në atë lokacion është paraparë ndërtimi i hekurudhës.

“ Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për nevojën e hapjes Terminali Doganor për pikën hyrëse nga Dheu i Bardhë kanë identifikuar si lokacion të përshtatshëm për destinim , parcelën nr.1279-13 me sipërfaqe prej 59739më ZK Shillove , pronë e Kombinatit Bujqësor “ Mlladost” nga Gjilani”

“Në parcelën kadastrale të lartshënuar, sipas Planit Zhvillimor Urban i cili është ende në fuqi , planifikimi i zhvillimit është : kalimi i rrugës magjistrale dhe  i linjës  hekurudhore e cila lidhë korridorin e VIII-të dhe X –të ndërkombëtar. Tamponzonat gjelbëruese ku punohen  për shkaqe të sigurisë përgjatë dy anëve të hekurudhës e rrugës magjistrale  si dhe një pjesë e cila do të jetë për zhvillim rural – zgjerim i  vendbanimit ekzistues të fshatit Shillovë”

“Sipas destinimit të dokumentit në fuqi  nuk ka kushte urbanistike lidhur me ndërtimin e objektit i cili do të shfrytëzohet për një destinim të tillë” thuhet në përgjigjen e drejtorisë.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Doganën e Kosovës mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje. /Shqip.com