Art Jetese

Receta e iftarit: Musakë me lakër të bardhë

Përbërësit: 800 g lakër e bardhë, 1 qepë, 300 g presh, 2-3 karota, 100 g oriz, 400 g mish i grirë, nenexhik, piper dhe kripë. Për salcën beshamel duhen 500 ml qumësht, 100 g gjalpë, 2 kokrra vezë, 100 g miell dhe arrë moskat.

Përgatitja: Në fillim pastrojmë dhe lajmë të gjitha perimet. Grijmë lakrën në fije jo shumë të holla, preshin në rrathë mesatarë, karotat dhe i hedhim në një tenxhere me dy lugë vaj ulliri. Shtojmë 2-3 lugë ujë dhe pak kripë.

I lemë të zbuten në zjarr të avashtë të mbuluara me kapak duke i trazuar disa herë. Në një enë tjetër grijmë qepën. E kaurdisim pak me vaj ulliri derisa të skuqet dhe pastaj hedhim mishin.  Hedhim ujë të ngrohtë, orizin dhe i lemë të ziejnë.

E rregullojmë mishin me kripë dhe erëza. Ndërkohë lakra me preshin ka zier,  rregullojmë edhe këtë me kripë dhe erëza. Në një tavë të lyer me vaj ulliri hedhim gjysmën e lakrave duke e hapur në të gjithë tavën.

Sipër hedhim mishin e grirë dhe orizin duke e hapur edhe këtë në gjithë sipërfaqen e lakrës. Mbi këtë hedhim, gjysmën tjetrës të lakrës.

Në fund të gjithë sipërfaqen e tavës do ta mbulojmë me beshamel. Tavën e futim në furrë të nxehur për 20 minuta në temperaturën 220 gradë.

Tava është gati kur të thekëriset dhe të marr ngjyrë ari. Ju bëftë mirë!