Lajme

Reagon Telekomi pas vendimit të Arbitrazhit për Z-Mobile: Do të ndjekim rrugët ligjore

Telekomi i Kosovës

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Telekomit të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, që sipas tyre do t’i ndjekin rrugët ligjore.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur që Telekomi t’i paguaj 13 milionë euro dëmshpërblim kompanisë Z-mobile.

Nga PTK-ja kanë thënë se ekspertët e tyre ligjor janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e Arbitrazhit në gjykatat kompetente.

“Vendimi i Arbitrazhit ICC No. 24841, përkundër faktit pozitiv se konstaton që kontrata me Z- mobile konsiderohet e përfunduar me 30 korrik 2019 dhe ka refuzuar shumicën e kërkesave të Z-Mobile, megjithatë nuk është në linjë me pritjet e Telekomit të Kosovës Sh.A. dhe sipas vlerësimeve paraprake nuk është as në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme. Përpos që nuk sjell drejtësi për sa i përket raportit tashmë të përfunduar kontraktual me Z-Mobile, ku Telekomi ka arritur të dëshmojë humbje të akumuluara qindra milionëshe, i njëjti nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Nga Telekomi ka thënë se janë duke u angazhuar që “faturat” e politikës dhe grupeve të interesit jashtë dhe brenda Telekomit të Kosovës Sh.A., të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit.

“Këto borxhe (dhe ato ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera publike), pasojë e një politike dhe një menaxhimi të kaluar, për të cilat askush deri sot nuk dha përgjegjësi, rrezikojnë të përmbytin përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëhen për të rimëkëmbur këtë kompani, e cila ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Tutje ajo çfarë është bërë e ditur nga Telekomi është se aktualishtë po ndërtojnë një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani.

“Një strategji e grupeve të interesit, e formësuar në një kontratë publikisht të dyshuar dhe të denoncuar si korruptive, e kishte degraduar Telekomin e Kosovës Sh.A. nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve”, kanë thënë ndër të tjera në reagimin e PTK-së./Shqip.com

Lexo edhe:
Z-Mobile ia fiton edhe 13 milionë euro Telekomit në Arbitrazh – Balaj: Vendimi është i blerë me para, skandaloz