Z-Mobile ia fiton edhe 13 milionë euro Telekomit në Arbitrazh – Balaj: Vendimi është i blerë me para, skandaloz
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit kundër Telekomit të Kosovës, ish-kompania Z-Mobile ka fituar për herë të dytë.
Kësaj radhe Telekomi i Kosovës obligohet t’ia paguajë Z-Mobile mbi 13 milionë euro dëmshpërblim.
Lidhur me këtë, Lamih Balaj, Kryetari i Federatës së Sindikatës në Telekomin e Kosovës, ka thënë për Shqip.com se ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit është skandaloz dhe sipas tij është i blerë me pare.
“Sidoqoftë vendimi është vendimi i ndërtuar mbi aferat korruptive dhe është një vendim i cili do mundohet që njëherë e përgjithmonë ta fundos Telekomin e Kosovës dhe me mbuluar atë krimin që ka ndodh në Telekom në një falimentim të Telekomit që një gjë të tillë nuk do ta lejojë as unë e as kryesia e as punëtoret e Telekomit të Kosovës”, ka thënë Balaj.
Ai gjithashtu ka thënë se në pikën që është dënuar Telekomi i Kosovës, është skandal pasi sipas tij Gjykata e Arbitrazhit nuk mund t’iu tregoi atyre se dhe qysh me i dhënë ofertat.
“Vendimi i Arbitrazhit ndërkombëtar është skandaloz pasi që është vetëm me një pikë të cilën është dënuar Telekomi ku thuhet se Telekomi nuk i ka dhënë ofertë serioze 80 me 20 ish-kompanisë Z-Mobile pra është dashtë me i dhënë ofertë 50 me 50 që kjo është një skandal”, ka thënë ndër të tjera Balaj.
Balaj ka pohuar se vendimi i gjykatës ka ardhur të hënë pas orës 16:00 dhe se i njëjti ka bërë thirrje për takim urgjent me kryesin e sindikatës dhe së bashku me juristët për ta analizuar në detaje kontratën dhe pastaj do të dalin me qëndrime rreth dënimit të Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Dërgimi në Arbitrazh për herën e dytë ishte bërë pasi Telekomi nuk ia kishte vazhduar kontratën në arsyetimin se Z-Mobile nuk i kishte pranuar kushtet për kontratën e re./Shqip.com