Kulturë Kino

Reagon Shkumbin Istrefi pasi që filmi “Vera andrron Detin” nuk fitoi asnjë çmim kryesor në Venedik

Filmi “Vera andrron Detin” i Kaltrina Krasniqit nuk arriti të fitoi ndonjë çmim kryesor  në Edicionin e 78-të të Festivalit të filmit në Venedik.

E pas kësaj ka reaguar producenti i filmit, Shkumbin Istrefi duke thënë se ky film është dëshmi e një kualiteti të lartë kinematografik.

Ai ka deklaruar se ka shpresuar se do t’i fitonte dy-tre çmime kryesore, por që nuk ndodhi kjo.

“Një ditë para ndarjes së çmimeve zyrtare, fiton dy çmime. Gëzohesh përsëri, por fillon e shpreson në çmime kryesore. Vetëbesimi rritet aq shumë sa që je i bindur që do të fitosh edhe ndonjërin nga çmimet kryesore. Ndoshta dy ose tre”, ka shkruar ai.

Ai tha se pas ndarjes se çmimeve ka mbetur i habitur pasi që nuk e ka dëgjuar emrin e filmit kosovar.

“Kur kryhet ndarja e çmimeve kryesore dhe nuk e dëgjon emrin e filmit tënd, nja 1 minuta rrin me gojë të hapur, nuk kupton, por pastaj e kupton që ke bërë një film të mrekullueshëm, ke marrë pjesë në njërin nga tri Festivalet më të mëdha botërore, ke fituar 2 çmime tepër të rëndësishme që nderojnë jo vetëm regjisoren Kaltrina Krasniqi por gjithë ekipin dhe gjithë kinematografine tonë. Fillon dhe gëzohesh që filmi do të marrë pjesë në shumë festivale tashmë të konfirmuara botërore”, ka shkruar Istrefi.

Ai tha se ai dhe i gjithë ekipi ndihen të përmbushur me punën që kanë bërë, punë kjo e cila ngriti në këmbë audiencën me duartrokitje të gjata.

Lexo edhe:
Tjetër sukeses, filmi kosovar “Vera Andrron Detin” fiton dy çmime në Bienalen e Venedikut

Ndryshe, dje ky film mori dy çmime përcjellëse, atë për regjisorët nën moshën 40-vjeçare si dhe çmimi i përfshirjes “Edipo Re Award”.

Çmimet janë dhënë nga asociacionet e regjisorëve dhe profesionistëve të filmit të akredituara në kuadër të Festivalit të Venedikut./SHQIP.com