Lajme

Reagon serbi që iu dogj vetura me targat RKS (VIDEO)

Qytetari serb Bojan Bozoviç të cilit iu dogj vetura me targat RKS ka thënë se i ka mbijetuar një terrori.

Përmes një postimi në Facebook, Bozoviç, ka bërë të ditur se vetura nuk është e riregjistruar por targat RKS i kishte prej 16 vitesh.

“Fatkeqësisht, një lajm i keq. Sonte i mbijetuam terrorit. Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë. Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS”, shkroi Bozoviç.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan Jeff Hovenier e ka dënuar këtë akt ndërsa, Bozoviç nëpërmjet këtij shkrimi e ka falënderuar atë.

“Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”.

ShBA dënon djegien e veturës së serbit, sërish kërkon shtyrje të afatit për targat – SHQIP.com

Krahas dënimit të këtij akti, Hovenier ka kërkuar sërish nga Kosova shtyrjen e afatit për targat.

Rasti i lartpërmendur ka ndodhur në Zubin Potok gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Kujtojmë se nga 1 shtatori janë regjistruar tri incidente në të cilat janë të përfshirë persona që ju kanë përgjigjur ftesës që t’i kthejnë targat ndërsa, ky i ditës së sotme është bërë i katërti.

Lidhur me këto sulme, Institucionet e Kosovës janë duke i akuzuar strukturat ilegale të cilët po frikësojnë qytetarët serb.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë. As Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar publikisht sulmet.

1 nëntori shënon ditën kur filloi qortimi nga Policia e Kosovës për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Kjo masë do të vazhdojë deri me 21 nëntor që pastaj të fillohet me shqiptimin e gjobave.

Vlen të theksohet se masa e gjobitjes e paraparë pas asaj të qortimit do të vlejë deri me 21 janar.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se pas 21 janarit do të bëhen targa testuese dhe regjistrimi i automjeteve me targa RKS do të jetë më i lehtë deri me 31 mars – Pas kësaj date mund të bëhet regjistrimi por pa lehtësime.

Kurse, 21 prilli shënon datën përfundimtare që lejon qarkullimin e targave ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

SHBA kërkon shtyrje të plotë të afatit për targat – SHQIP.com

ShBA edhe para se të merret vendimi i ri për targat, kanë kërkuar shtyrje për dhjetë muaj të afatit për ndërrimin e targave. Por janë shprehur të zhgënjyer pas refuzimit të kërkesës së tyre nga Qeveria e Kosovës.

Të njëjtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian. Ata konsiderojnë që kërkesa e Kosovës për ndërrimin e targave ilegale është legjitime por kjo duhet të bëhet brenda një periudhe 12 mujore kështu, duke e cilësuar në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

/Shqip.com