Lajme

Reagon ish-profesori i Kurtit: Mos ia nënçmoni diplomën, ka qenë prej studentëve më të mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ish-profesori i kryeministri të Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së deputetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku pasi ky i fundit tha se “Nëse Kurti si inxhinier me profesion nuk e di se çmimi i rrymës mund të kontraktohet paraprakisht atëherë le ta kthejë diplomën në universitet”.

Agni Dika, profesor i shkencave kompjuterike, përmes një shkrimi ka thënë se nuk mundet të mos reagojë kur dëgjon se po i nënçmohet diploma Kurtit, pasi thotë se ishte njëri ndër studentët më të mirë që ka pasur.

“Meqë gjatë studimeve, z. Albin Kurti i kam dhënë mësim në tre lëndë, shumë mirë më kujtohen provimet e tij me shkrim, të shkruar me stilograf dhe ngjyrë të zezë, si dhe notat maksimale 10 me të cilat janë vlerësuar, pa pasur qoftë edhe një gabim të vetëm”, ka shkruar Dika.

Profesori Dika të gjithë atyre që mundohen ta nënçmojnë Albin Kurtin, ua ka propozuar ta ndjekin intervistën e kryeministrit në BBC.

Agni Dika

“Gjithashtu, kam qenë anëtar i komisionit për mbrojtjen e punimit të tij të diplomës, i cili ndërlidhej me një tip të veçantë të memorieve kompjuterike. Materiali i përfshirë në diplomë i ngjante një punimi të vërtetë shkencor. Duke e pasur parasysh përmbajtjen e punimit, përgjigjet në të gjitha pyetjet e shtruara, mbrojtja e diplomës njëzëri është vlerësuar me notën maksimale 10”, ka shkruar Dika.

Theksojmë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar se “Kurti duhet ta di se çmimi i rrymës kontraktohet.e nëse nuk e din si inxhinier që është ta kthej diplomën e tij në fakultet, se çmimi i rrymës kontraktohet rezervohet”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga Kurti.

“Unë diplomën në Universitetin e Prishtinës e kam në Fakultetin e Elektroteknikës, Telekomunikacion…, nuk e kam për blerjen e rrymës por nuk besoj që kemi bërë ndonjë gabim apo lëshim deri tash. Duhet ta kuptoni që kam ardhur në qeverisje me fitore të listës tonë sepse ka ekzistuar një dëshpërim i madh nga pushteti që tash është në opozitë”, kishte deklaruar Kurti./Shqip.com