Lajme

Reagon avokati i familjes Tetaj: Vendimi i ndikuar, krijuat pasiguri juridike

Avokati i familjes së Agonis Tetaj, Berat Tmava ka thënë se nuk është befasuar me vendimin e Gjykatës së Pejës, e cila e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn.

Ky vendim sipas tij, është nënkuptuar gjatë kohës që bëhej shtyrja e seancave dhe si i tillë krijoi pasiguri juridike.

“Sigurisht në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar familjes Tetaj, të cileve ju vra më i dashuri i tyre Agonisi, nuk kam mbetur i befasuar me këtë vendim.

Kjo për faktin se vetë odisejada e shtyrjes së seancave për arsye banale na ka bindur se gjykimi do të vazhdoj vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia.

Lexo edhe:
Shaban Gogaj dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Gjykata me këtë vendim krijoi pasiguri juridike tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin më lozhë duartrokitnin|”.

Tutje ai ka thënë se kjo Gjykatë pas një kohë do të kuptojë se vendimi ishte i ndikuar.

“Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar. Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë!”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj  burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

/Shqip.com