Lajme

Reagon ambasada gjermane: E mbështesim deklaratën e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas akuzës fillestare që i bëri ndërmjetësit Miroslav Lajçak për njëanshmëri nga Brukseli pasi u kryen takimet e 14 shtatorit, dje thirri një konferencë për media ku bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, zbërtheu më tej qëndrimin e tij ndaj Lajçakut.

Për më tepër, Kurti zbuloi një pjesë të bisedës nga takimi për të mbështetur deklaratat e tij se emisari është pozicionuar kundër Kosovës.

“Pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes në veçanti”, tha Kurti dje për emisarin Lajçak.

Më pas ai njoftoi se të nesërmen e takimit, më 15 shtator kishte shkruar një letër sqaruese mbi atë çka ndodhi në takim dhe ua ka dërguar Berlinit, Washingtonit, Parisit e Romës. Kurti tha se vetëm Berlini e Parisi ia kanë konfirmuar marrjen e letrës.

Për këtë çështje Gazeta Express ka kontaktuar autoritetet gjermane për të komentuar deklaratat e Kurtit.

“Ambasada nuk komenton për korrespondencën e drejtpërdrejtë mes krerëve të qeverive. Kjo i nënshtrohet konfidencialitetit, të cilin ne – nga ana jonë – dëshirojmë ta ruajmë”, tha drejtori për Kulturë dhe Shtyp në ambasadën gjermane, Christian Böttcher.

Gjermania mbështet deklaratën e BE-së që e lëshoi sot për takimin e fundit të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë.

“Për më tepër, ju lutemi referojuni deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë Borrell në emër të shteteve anëtare të BE-së që u publikua mëngjesin e sotëm dhe që u mirëprit nga ambasadori gjerman si “një thirrje e qartë kristal e BE-27 ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim pa vonesë të mëtejshme!”, tha ambasada.

Për letrën e Kurtit drejtuar Washingtonit është përgjigjur Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës, duke thënë se i njohin përpjekjet e Lajçakut në dialog.

Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Kurti dje tha se ka të bëjë me një “emisar që e ka deformuar dialogun” me vendosjen e Asociacionit si pikën e parë që duhet të zbatohet nga Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Ohër.

“Nuk është këtu çështje BE dhe SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”, u shpreh Kurti.

Kryeministri Kurti tha se procesit të dialogut i duhet një ndërmjetës neutral dhe se Kosova nuk synon të zëvendësojë fuqitë ndërmjetësuese të këtij procesi.

“Nuk është synimi jonë që të zëvendësojmë një superfuqi me tjetrën. Neve na duhen të dyja, edhe BE-ja edhe SHBA-ja. Por, neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me [ndërmjetësimin] e emisarit Lajçak tani”, tha ai.

Bashkimi Europian sot doli me një komunikatë ku kërkoi nga të dyja palët që të zbatojnë zotimet e marra në marrëveshjen e dakorduar së fundi.

“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët kanë rënë dakord në fillim të këtij viti dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë rol në rrugën europiane të palëve. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, u tha në deklaratë ndër të tjera.

/Shqip.com