Lajme

Reagon AAC pas raportimit të Shqip.com për pistën e 33 milionëshe që po rrezikonte aeroplanët

Pas hulumtimit të Shqip.com për pistën që kishte kushtuar 33 milionë euro  e që ishte lëshuar për operim me shumë probleme, ka reaguar  Autoriteti i Aviacionit Civil përmes një njoftimi për media.

AAC ka sqaruar se pista e Aeroportit të Prishtinës që ishte lëshuar për qarkullim në dhjetor të vitit të kaluar ka pasur probleme, por që disa “janë përmirësuar dhe do të përmirësohen në vazhdim”.

“Autoriteti i Aviacionit Civil konfirmon se gjendja e sigurisë në ANP “Adem Jashari” është në përputhje të plotë me  standardet dhe kushtet parapara me ligj”, thotë njoftimi, pasi Shqip.com raportoi në detaje për pistën që po rrezikonte sigurinë e aeroplanëve.

Nga AAC kanë konfirmuar se janë ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me sigurinë e pistës.

“Për të gjitha shqetësimet lidhur me sigurinë në pistë, operatori i aeroportit ka ndërmarrë veprimet korrigjuesë të menjëhershme në përputhje me kërkesat rregullatore. Sipas  inspektimeve të fundit,  gjendja e sigurisë në pistë nuk paraqet problem serioz të sigurisë.  Masat tjera korrektuese afatgjate të kërkuara nga AAC, operatori do ti përmbush brenda një afati të dakorduar”.

Përkundër që nga Aeroporti i Prishtinës nuk kanë dhënë asnjë sqarim për problemet me këtë pistë, AAC ka siguruar se certifikimi i kësaj piste është bërë sipas “kritereve të parapara në rregulloren Nr.17/2017”.

“Në pajtim me nenin 61 të Ligjit nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, duke vepruar sipas kërkesës së “Limak Kosovo International Airport” J.S.C datë 23.09. 2021, për ndryshimin e certifikatës të aerodromit konform rregullores Nr.17/2017 për dispozitat dhe procedurat administrative në lidhje me aerodromet, e ndryshuar, pas shqyrtimit të aplikacionit dhe dokumentacionit të dorëzuar, auditimit 4 ditor, nga data 23 deri me 26 Nëntor 2021  dhe pas konstatimit të fakteve në lidhje me këtë çështje, vërteton që ka  certifikuar dhe ka autorizuar të operojë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në përputhje të plotë me dispozitat e Rregullores Nr. 17/2017 me ndryshime dhe plotësime, bazën e certifikimit të aerodromit, kushtet e certifikatës dhe manualin e aerodromit”, thuhet në njoftimin e AAC-së.

AAC gjykon se raportimi dhe monitorimi i ndodhive rrit masën e sigurisë, duke parandaluar aksidentet dhe incidentet.

“Monitorimi i sigurisë së aviacionit është pjesë integruese e funksioneve të ushtruara nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës. Raportimi i ndodhive kontribuon në masë të madhe në identifikimin reaktiv dhe proaktiv të rreziqeve të sigurisë dhe ndikon në përmirësimin e masave të sigurisë. Objektiv i vetëm i raportimit të ndodhive është parandalimi i aksidenteve dhe incidenteve dhe jo atribuimi i fajit apo i përgjegjësisë”, sqaron njoftimi i AAC.

Lexo edhe:

Shqip.com përmes sigurimit të raportit të AAC ka gjetur se pista 33 milionë euro e  aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, do të rezultonte me probleme që mund të shkaktonin incident apo aksident gjatë operimit të aeroplanëve.

Me 26 janar 2022, një grup prej pesë ekspertëve të AAC-së, kishin zhvilluar një inspektim të paparalajmëruar në pistën e zgjatur duke konstatuar kështu se një numër i punimeve nuk janë bërë sipas standardeve.  Raporti të cilin e kishte siguruar Shqip.com, rendit gjashtë probleme, që ishin neglizhuar nga udhëheqja e lartë e Aeroportit.