Lajme

Rasti i Lumezit, Muharremajt dhe Asllanit- Sallahu ua hedhë përgjegjësinë KGJK-së dhe KPK-së

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se me plotësim ndryshimin e Projekligjit për përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor do të kenë të drejtë për të shkarkuar prokurorë e gjyqtarë për shkak të shkeljes së detyrave dhe mosefikasitetit të punëve.

Sipas Sallahut, KPK dhe KGJK tani e kanë rrugën e hapur për të shkarkuar ata prokurorë e gjyqtarë të cilët shkelin ligjin.

“Deri para një kohe Ligji për përgjegjësi të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e ka parapa shkarkimin për shkak të mosefikasitetit në punë edhe shkelje të detyrave të punës. E ka parapa shkarkimin vetëm nëse ka kryer vepër penale. Tash ne kemi bërë një plotësim ndryshim e kemi dërgu në Kuvend dhe mesa e di ka kalu në lexim të dytë dhe po pret të hyjë në fuqi. Tani Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor e ka të drejtën me i shkarku gjyqtarët dhe prokurorët nëse i shkelin detyrat e punës”, tha Sallahu në ATV.

I pyetur se a është shkelje në rastin kur kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka deklaruar publikisht se ka pasur kontakte me një të dyshuar audio-incizimet e të cilit u publikuan nga Shqip.com, Sallahu tha se “është shkelje, por ata (KPK) duhet ta verifikojnë a duhet të largohet prej pune apo të merret masë disiplinore”.

Më tej, Sallahu ka thënë se duke u bazuar në projektligjin i cili pritet të miratohet në Kuvend, KPK do t’i ketë të drejtat ekskluzive për të vendosur se a duhet të shkarkohet kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Në këtë rast, automatikisht Këshilli Prokurorial e ka të drejtën ekskluzive mbi rregulloren që e ka brenda edhe ligjit që do të futet në fuqi me vlerësu se a duhet të shkarkohet apo jo, kjo është kompetencë ekskluzive e KPK-së”, deklaroi Sallahu.

I pyetur edhe pë rastin e prokurores së krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, e cila në përgjimet që ka publikuar Shqip.com, i kishte treguar një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të zgjedhë gjyqtarë jo në bazë të kualifikimeve që i ka.

Sallahu hodhi të gjithë përgjegjësinë ndaj KGJK-së.

“Si ministri e kemi ofru të gjithë mbështetjen KPK-së dhe KGJK-së për të bërë ligje të reja për me amandamentu ligje ekzistuese dhe kemi dhënë këtë të drejtë. Tash a e merr KPK ndonjë masë ndaj ndonjë prokurori, dorën në zemër është çështje ekskluzive e tyre”, ka përfunduar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Theksojmë se përkundër se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e kishte pranuar publikisht se ka biseduar me një person në telefon në kanale jo zyrtare dhe se ai është involvuar në skandalin e publikuar nga Gazeta Online Shqip.com, ku disa zyrtarë të drejtësisë tentonin të ndërhynin në një rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka parë të paarsyeshme që të merren masa disiplinore ndaj tij.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Sipas KPK-së, Lumezi lakohet nga të tjerët, por nuk është vetë i përfshirë, paçka se përfshirja dokumentohet në publikimet e Shqip.com dhe gjithashtu Lumezi vetë e pati pranuar bisedën.

Përveç Lumezit, KPK-ja nuk ka ndërmarrë ende asgjë as në rastin e Prokurores së Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani.

Asllani ishte një nga protagonistët e publikimeve të Shqip.com, “Dosja: Inteligjenca e Zhvatjes”, e cila dëgjohej në telefon duke i premtuar një personi se do të interferonte në një rast të tij në Gjykatë dhe gjithashtu pranonte se ka marrë pjesë në një përzgjedhje joprofesionale të një gjyqtari, pos tjerash.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Shemdije Asllani

Por, lidhur me këtë rast, Jetish Maloku, Kryesues i KPK-së, tha se është në procedurë e sipër dhe se do të trajtohet në takimet e para të vitit të ardhshëm në KPK.

“Ju njoftoj se ne menjëherë kemi marrë masat tona. Këshilli e ka bërë trupin e vet, ka bërë panelin hetimor. Për shkaqe objektive ka ardhur deri te kjo vonesë. Ne jemi në procedure e sipër, këtë rast do ta kemi në vitin tjetër në takimet e para të Këshillit”, tha Maloku.

Ndërsa, Driton Muharremi, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë dorëheqjen e tij nga sistemi gjyqësor të premten, përcjell Shqip.com.

Driton Muharremi, ish- gjykatës i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit – Prishtinë.

Kjo, pasi që Muharremi ishte i pakënaqur me vendimin për transferimin e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Me rastin e 20 vjetorit të karrierës së suksesshme profesionale në sistemin gjyqësor të Kosovës jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e gjyqtarit”, ka thënë Muharremi në njoftimin drejtuar Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj./Shqip.com