Lajme

Rasti i foshnjës në Pejë: Shkarkohet u.d. i kryeinspektorit të shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj.

Ky vendim i MSh-së, ka ardhur pas skandalit të mbrëmshëm në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

“Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj. Në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Sipas MSh-së, kush nuk arrinë t’i përmbushë detyrat e tij, nuk mund ta vijojë pozitën menaxheriale.

“Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”.

Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës, nisin hetimet – SHQIP.com

Një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e pështjellur së bashku me çarçafë.

Lajmin e ka konfirmuar për shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.

Kurmehaj tha se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.

“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si prokurori kemi ndërmarrë veprime e duhura për zbardhje të rrethanave”, tha Kurmehaj.

Mehaj konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur ka ndodhur edhe ngjarja.

Ndërsa, lidhur me rastin Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka suspenduar shtatë punonjës.

/Shqip.com