Lajme

Rasti “Brezovica”: Bllokohen afër 6 milionë euro

Prokurori, Rasim Maloku

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku ka bërë të ditur se në aksionin e sotëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë bllokuar rreth gjashtë milionë euro.

Përveç këtyre të hollave, Maloku ka thënë se janë konfiskuar edhe prova materiale, vetura e armë.

“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro, shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka thënë Maloku gjatë konferencës për media.

Arrestohet Bedri Halimi, kryeinspektori i MMPHI-së

Në anën tjetër, kapiteni Agron Haziri, njoftoi se operacioni ka rezultuar me katër persona të arrestuar, njëri prej tyre është liruar me procedurë të rregullt ndërsa pesë të tjerë janë në kërkim.

“Sot kemi vazhduar operacionin të koduar “Brezovica”. Operacioni ka rezultuar me katër persona të arrestuar, prej tyre njëri është liruar ndërsa tre të tjerë janë në ndalim prej 48 orësh. Ndërkaq, pesë të tjerë janë në kërkim”, tha Haziri.

Maloku, më tej theksoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim./Shqip.com