Raportimi me dyer të mbyllura, Hoti: ZRRE nuk është AKI, e as polici apo FSK

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas raportimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti pa prezencën e medieve.
Ish-kryeministri Hoti me anë të një reagimi në Facebook ka thënë se, kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura duhet të ndalet.
“Përse raporti i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?! Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike? Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike?! Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet. Publiku ka të drejtë të informohet plotësisht. ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet të klasifikojnë informatat”, shkroi Hotit.
Theksojmë se anëtarja e Komisionit për Ekonomi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, për SHQIP.com ka thënë se kërkesa për mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura kishte ardhur nga Bordi i ZRRE-së.
Në anën tjetër, anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha për SHQIP.com se opozita do të insistojë që mbledhja të mbahet në praninë e mediave./Shqip.com