Lajme

Situata me energjinë pas vendimit të Apelit, ZRRE kërkon të mbajë mbledhje me dyer të mbyllura në Komisionin për Ekonomi

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të diskutojë me bordin Zyrës së Rregullatorit për Energji

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të diskutojë me bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Mbledhja, siç e konfirmon anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, do të mbahet me dyer të mbyllura.

“ Kërkesa për mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura ka qenë e ZRRE-së. ” – tha ajo për SHQIP.com.

Po ashtu në këtë mbledhje do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me amendamente për projektligjin për markat tregtare. Mbledhja e Komisionit fillon në ora 10:00.

Theksojmë se më 18 maj Gjykata e Apelit nxjerri një vendim duke e konsideruar si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Zyra e Rregullatorit për Energji

Sipas njoftimit, ZRRE më datën 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRrE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, njofton ZRRE.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës./Shqip.com