Lajme

Raporti sekret i ish-ambasadorit gjerman: Kjo është zgjidhja që donte Vuk Drashkoviq për Kosovën

Dokumenti i deklasifikuar i ambasadorit gjerman

Në vitin 1991, ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Hansjerg Eif, ishte takuar me liderin opozitar serb, Vuk Drashkoviq. Në këtë takim ishte diskutuar për çështjet politike të Jugosllavisë dhe e ardhmja e saj.

Raporti i deklasifikuar, të cilin e ka publikuar në Twitter gazetari gjerman, Michael Martens, tregon se ambasadori Eif nuk ishte ndarë i kënaqur pas takimit  që kishte zhvilluar me liderin opozitar.

Eif nuk shihte ndonjë dallim të madh ndërmjet pikëpamjeve politike që kishte Drashkoviq për Jugosllavinë dhe pikëpamjeve politike që kishte presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.  

Eif i kishte dërguar raportin për këtë takim Qeverisë Gjermane me 17 prill, 1991. 

“Vuk Drashkoviq kritikon Sllobodan Millosheviqin mirëpo nuk është se ata dallojnë shumë kur bëhet fjalë për çështjet kryesore.  Drashkoviq konsideron se Jugosllavia duhet të ruhet ngase sipas tij nuk ekziston asnjë mundësi që dezintegrimi i saj të ndodh në mënyrë paqësore”.

“Ai (Darshkoviqi) mendon se Bosnja duhet të mbetet e paprekur  kurse Kosova duhet të ketë statusin e një krahine autonome status i ngjashëm me Tirolin Jugor të Italisë. Ai mendon se Kosova nuk duhet të jetë e pavarur. Kurse për serbët të cilët jetojnë në Kroaci ata duhet të kenë një autonomi kulturore” thuhet në këtë raport të deklasifikuar./Shqip.com