Lajme

Raporti i punës së KShC-së përplot me gabime drejtshkrimore, Komisioni për Arsim e kthen mbrapshtë

Komisioni për Arsim

Raporti vjetor i punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021, u kritikua me të madhe nga anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport.

Kryetarja e këtij Komisioni, Albena Reshitaj, tha se raporti ka gabime të mëdha dhe se shifrat nuk përkojnë me rezultatin e akreditimit të programeve.

“Ne e kemi marr një raport nga ju. Raporti lë për të dëshiruar duke pas parasysh disa mospërputhje të numrit të programeve të akredituar dhe jo akredituara. Disa gabime në shifra që në këtë raport nuk do të duhet të ishin fare. Kërkesa për akreditim mund të bëhet nga 10 institucione nga arsimi i lartë”, tha ajo.

Ajo tha se në këtë raport, nuk është përfshirë edhe dorëheqja e anëtarëve të KShC-së.

“Cila është baza ligjore që ju mundeni me paraqit kërkesës për akreditim të programeve. Ju keni referuar një vlerësim të vitit 2018 nuk i përgjigjet periudhës së raportimit në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë. Keni pas obligim të raportoni për vitin 2021 jo për vitin 2020”, tha tutje Reshitaj.

“Tek faqja 14 e këtij raporti akreditimi institucional, tek numri 7 e keni shënuar kolegji UBT Gjilan, me vonë e keni shkruar Pejë në cilin qytet u akreditua?. Ka mospërputhje të numrit të programeve që janë akredituar dhe joakredituar. Fillimisht keni problem në numrin total të programeve”, tha ajo.

Këtë raport e konsideroi trishtuese edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj.

“Propozoj t’i merrni këto dhe të bëni diçka më serioze. Ju propozoj që të vini edhe një here të përgatiteni se vetëm këto që i përmendi profesoresha Albena (Reshitaj) janë trishtuese”, tha Kokaj.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnie Ilazi, e arsyetoi raportin e punës së këtij institucioni.

Duke mos dhënë detaje për raportin, foli për vizitën që kanë pasur në Gjermani, e që sipas saj kanë marrë pjesë 29 agjencione të ndryshme.

“Pas përfundimit të kësaj periudhe kemi pas periudhë më të qetë ku jemi takuar disa here për t’i parë prioritetet e bordit. Kemi krijuar disa dokumente siç është dokumenti i parë për 5 vite. Ne kemi qenë si delegacion në Gjermani, dhe kemi qenë 29 agjensione që kanë marrë pjesë. Edhe një here është diskutuar nevoja për përshpejtimin e procedurës së krijimit të ligjit. I vetmi shtet përveç Kosovës është Çekia që nuk është pjesë e ENKAS. Vazhdojmë me vendos themele të një pune që nuk do të jetë at-hoc për të ardhmen”, tha ajo./Shqip.com