Lajme

Ramosaj pas dërgimit të mostrave të ujit në IKSHPK: Është masë që ne me qenë të sigurt

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se dërgimi i mostrave të ujit për analiza ka qenë si masë sigurie.

Në një përgjigje për Shqip.com, Ramosaj ka bërë të ditur se uji në disa fshatra të Deçanit është turbulluar për shkak se dje ka pasur reshje të shiu.

“Dje ka ra shi në Deçan dhe është turbulluar uji, dhe sot në ora 08:00 i kam dërguar Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe kompanisë së ujësjellësit “Hidro-Drini” në Pejës, për të kryer analiza që na me qenë të sigurt, nuk ka ndonjë shqetësim por ka qenë si një masë që ne me qenë të sigurt dhe nuk ka ndonjë problem me ujë”, ka thënë Ramosaj.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është njoftuar nga IKSHPK-ja se kanë marrë për analiza disa mostra të ujit nga disa fshatra të Deçanit.

Lexo edhe:
Reshjet e shiut shkaktojnë frikë për helmim të ujit në Deçan, MSH: Nuk ka vend për shqetësim

Nga MSH-ja janë shprehur se në këtë rast nuk ka vend për shqetësim.

Në korrik të vitit 2021, afro një mijë e 500 qytetarë të komunës së Deçanit, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë për shkak të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike aso kohe, kishte thënë se ka dyshime për kontaminim të ujit.

“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit”, thuhej në njoftimin e IKSHPK-së./Shqip.com