Lajme

Rama: Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë është fakt dhe jo akuzë, presim edhe sulme të tjera nga Irani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sulmi kibernetik nga Irani ndaj Shqipërisë është fakt dhe nuk është akuzë.

Përmes një interviste në Newsmax TV në emisionin “Wake up America”, Rama tha se e gjithë kjo ishte e mbështetur në prova të cilat kishin ardhur nga një punë e detajuar.

“Dua ta bëjë shumë të qartë se  unë nuk jam që e kam akuzuar Iranin, por kishim prova të mbështetura në një punë mjaftë të imët të ekspertizës ligjore të super skuadrës Microsoft për zbulimin e kërcënimeve, si dhe super skuadrës së agjencisë së specializuar të Amerikë, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, shteti, Republika Islamike e Iranit. Nuk është akuzë është fakt”, tha Rama.

Rama tha se nga kjo erdhi koha që të ndërpritet çdo marrëdhënie me Iranin.

“Nga ana tjetër kuptuam që ishte koha për të ndërprerë çdo lloj marrëdhënie me këtë regjim sepse aktualisht, nuk mund të lejojmë që ambasada të vazhdonte të ishte në mes të kryeqytetit e të punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë”.

I pari i Shqipërisë tha se janë të përgatitur për sulme të tjera nga Irani dhe se kanë nevojë të përshpejtojnë të gjitha planet e tyre në sigurinë kibernetike.

“Ajo që kemi nevojë tani është të përshpejtojmë të gjitha planet tona për të ndërtuar një mbrojtje kibernetike të fjalës së fundit sepse edhe pas sulmit të 15 korrikut patëm një tjetër dhe jemi përgatitur për të tjerë që do të vijnë sepse gjithkush e din që ky regjim është i angazhuar për këto lloj veprimtarish në mbarë botën”.

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live njoftoi se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut.  

Shqipëria me 15 korrik ka përjetuar sulmin më të madh kibernetikë në historinë e saj, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Në njoftimin e tij, kryeministri Rama kishte deklaruar se kishte mbështetjen e NATO-s për vendimin e tij.

Ndërkohë që ambasada iraniane u boshatis sot pas ultimatumit të dhënë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama që i la 24 orë kohë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet.

Lexo edhe:

SHBA-ja dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë

Në mbështetje të Shqipërisë përveç NATO-s kanë dal edhe Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Shqip.com