Lajme

Rama: Shqipëria do t’i heqë tarifat doganore me Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Tarifat doganore të Shqipërisë me Kosovën do të hiqen – duke filluar me ato bujqësore, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama, të dielën.

Kështu tha Rama gjatë vizitës së tij në fabrikën e prodhimit të miellit, në Kosovë.

”Ne kemi bërë një plan që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarëdo vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri”, ka thënë Rama.

“Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Ksoovës por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithësesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, ka deklaruar ai.

Më 20 qershor, në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri.

Gjatë kohës së zhvillimit të kësaj mbledhje, Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike.

Në një deklaratë për media, Policia ka njoftuar se ata do të kujdesen dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë së Shqipërisë.

Si shkak i mbledhjes, Policia sot pasdite dhe nesër do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojnë delegacionet.

Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.

Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.

Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit.

Lexo edhe:
Sot e nesër bllokohen disa rrugë në Kosovë, shkak mbledhja e dy qeverive

Theksojmë se në mbledhjen e shtatë të dy qeverive e mbajtur më 26 nëntor 2021 në Elbasan, janë arritur gjithsej 16 marrëveshje mes dy shteteve.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndër marrëveshjet e nënshkruara është edhe ajo për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, si dhe heqja e kontrolleve në pikën kufitare.

Lexo edhe:
Përfundon mbledhja, nënshkruhen marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Historiku i mbledhjes të dy qeverive:

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./Shqip.com