Sot e nesër bllokohen disa rrugë në Kosovë, shkak mbledhja e dy qeverive
Nesër në Kosovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Shqipërisë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më arritur në Kosovë, delegacioni nga Shqipëria sot dhe gjatë lëvizjeve të tyre nesër do të bllokohen disa rrugë për kalim.
“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në njoftim.
PK ka bërë të ditur se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka bërë të ditur se kjo mbledhje do të mbahet të hënën në Prishtinë.
Se cilat marrëveshje do të nënshkruhen nuk është bërë e ditur nga institucionet.
Në mbledhjen e kaluar në mes të dy qeverive shqiptare të mbajtur në Elbasan, janë nënshkruar 13 marrëveshje.
Në këto marrëveshje janë përfshirë, lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, njohja e diplomave etj.