Rama pritet në Prishtinë me ceremoni shtetërore

Me ceremoni shtetërore është pritur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Prishtinë.
Atë e priti, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, të hënën.
Kryeministri i Kosovës pasi e kishte uruar Ramën për mandatin e tretë – e ka ftuar ta vizitonte Kosovën.
Edi Rama e kishte pranuar ftesën e tij, raporton Shqip.com

Kjo vizitë e Edi Ramës vjen në kohën kur në veri është një situatë e tensionuar dhe Prishtina e Tirana kanë divergjenca për sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Rama gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, të shtunën – refuzoi t’i cilësojë marrëdhëniet me Kosovën “në nivelin më të ulët të mundshëm”, sipas tij raportet Tiranë – Prishtinë janë në një “gjendje normale”.
“Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë”, ka thënë Rama.
Ndërsa, të shtunën Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, i ka kërkuar Serbisë të largojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.
Rama pos me Kurtin, do të takohet edhe me kryetarët e partive opozitare. /Shqip.com