Lajme

Rama për Kurtin: Kemi qasje të ndryshme për Ballkanin e Hapur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se sa i përket “Ballkanit të Hapur” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë qasje të ndryshme, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media së bashku me Kurtin, Rama tha se kjo nuk i pengon ata që të bëjnë së bashku gjërat e duhura për dy vendet.

Edi Rama dhe Albin Kurti në konferencë për media.

 “Sa i përket Ballkanit të Hapur kemi qasje të ndryshme, por duhet të gjithë të mësohen mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo sna pengon të bëjmë së bashkë gjërat e duhura për dy vendet tona. Mendoj që opinionet e ndryshme për Ballkanin e Hapur nuk pengojnë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh. Nëse më lejoni t’i referohem shqiponjës, është një trup i vetëm, ku njëra kokë qëndron nga njëra anët, tjetra nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt. Mos keni dyshim se shqiponja kapet në befasi.

Mendoj që është vlerë e shtuar në këtë periudhë që jemi shqiponjë me dy koka. Kur t’i vijë dita të jemi shqiponjë me një kokë, është rreziku të kafshojmë veten. Unë jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, për këndvështrimin strategjik dhe angazhimin që kemi vendosur. Ballkani i hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenë të mbyllura.”, tha Rama.

Lexo edhe:
Kurti pas mbledhjes së dy qeverive: Duhet t’i tejkalojmë kufijtë hapësinor, por jo ata kohorë për zbatimin e marrëveshjeve

Tutje, Rama shtoi se nuk ka ndryshuar mendimin as qëndrimin lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama deklaroi se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë me atë që e ka thënë në mes të Beogradit, pra që “Serbia duhet ta njohë Kosovën”.

“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj Qeverie, mendimi im në lidhje me Kosovën nuk është as sekret, as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur qysh në krye të herës edhe në mes të Beogradit. Nuk ka ndryshuar. Më këtë nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë Rama./SHQIP.com