Lajme

Kurti pas mbledhjes së dy qeverive: Duhet t’i tejkalojmë kufijtë hapësinorë, por jo ata kohorë për zbatimin e marrëveshjeve

Kurti në konferencë për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet t’i tejkalojnë kufijtë hapësinorë por të mos i tejkalojnë kufijtë kohorë të zbatimit të marrëveshjet që u nënshkruan të premten, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti u shpreh se si udhëheqës të institucioneve është koha e shtetit që mbahet me tatimet dhe taksat e qytetarëve.

Lexo edhe:
Përfundon mbledhja, nënshkruhen marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

“Faleminderit të gjithë anëtarëve të kabineteve tona qeveritare. Ju faleminderit për punën, angazhimin kontributin dhe t’i tejkalojmë kufijtë hapësinorë duke vajtur e ardhur tek njëri tjetri por të mos i kalojmë e tejkalojmë kufijtë kohorë të zbatimit të marrëveshjeve për të cilat dakordohemi tani sepse koha jonë si udhëheqës të institucioneve nuk është e jona, është kohë e shtetit që mbahet me tatimet dhe taksat e qytetarëve tanë dhe mirëmbahet prej qeverive tona të drejta”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nga marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, lajm i mirë për kosovarët është heqja e kontrolleve fizike në pikat kufitare.

“Eliminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është obligimi ynë në të gjithë sektorët dhe faktikisht në rastin konkret krijimi i manualit të ri të përbashkët për procedura standarde të operimit në doganën e Durrësit është ky për atë që thash lidhur me një nivel tjetër të lëvizjes që vie në raport me procedurat doganore.

 Dua të nënvizojë se është lajm i mirë për qytetarët nga të dyja anët dhe posaçërisht për qytetarët e Kosovës që vërshojnë në ditë të rëndësishme festash, në fundjava apo gjatë sezonit veror në Shqipëri, tanimë më në fund është jetësuar krijimi i një regjimi të ri doganor për ta në kufi, duke pas parasysh domosdoshmërinë që të mos krijohen radha të pafundme e për kontrolle të dyfishta”, tha Rama.