Lajme

Rama për abetaren e përbashkët me Kosovën: Ta ruajmë këtë gjuhë nga kërcënimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë prezantimit të “Abetares Unike” që do të përdoret nga nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë ka thënë se ky është një moment i veçantë.

Rama tha se ruajtja e gjuhës kombëtare është një barrë e posaçme duke marrë parasysh kërcënimet e shumta që e rrezikojnë.

“Dua ta them qysh në fillim se është vërtet një moment i vecantë sepse kjo abetare e parë e unifikuar, një punë e përbashkët ishte një sfidë me kohën pasi hapi për ta realizuar u hodh jo shumë kohë më parë.

Abetarja e parë e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë

Puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura enkas për këtë qëllim, ishte tejet voluminoze. Por ja ku jemi sot në vigjilje të vitit të ri shkollor me një libër të njëjtë për nxënësit që hyjnë në dyert e shkollës për herë të parë. Lajm i mirë është dhe se edhe Maqedonia e Veriut e do këtë abetare, ku nxënësit të mësojnë gjuhën amtare.

Gjuha shqipe sot ruhet dhe flitet në Kosovë, Mal Të zi, në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe përtej këtij perimetri, ku jetojnë shqiptarë, deri në skajin më të largët të globit”, tha Rama.

Lexo edhe:
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për abetaren e përbashkët

Theksojmë se në dhjetor të 2021-tës, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me homologen e Shqipërisë, Evis Kushi, nënshkruan marrëveshjen për përdorimin e një abetare të përbashkët në dy shtetet./Shqip.com