Lajme

Rama nga Brukseli: Nuk ka asnjë provë për trafik organesh nga udhëheqësit e UÇK-së, KE të kërkojë falje

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se Gjykata e Hagës është krijuar në bazë të një raporti të mbushur plot me gjepura dhe se po mban padrejtësisht në burg ish-krerët e UÇK-së në Kosovë, nën akuzat për krime lufte e trafikim të organeve të qenieve njerëzore.

“Dhe si e vutë re kjo Gjykatë e Hagës është krijuar vetëm në bazë të këtij raporti plot me gjepura që ka sjellë pikërisht në jetë këtë lloj gjykate speciale. Edhe hetime pse hetimesh janë bërë në Kosovë dhe Shqipëri të pavarura nga çdo lloj ndikimi”, tha Rama.

Në Bruksel, Rama u shpreh se nga hetimet nuk ka asnjë provë për trafik të organeve nga udhëheqësit e UÇK-së andaj, theksoi se Këshilli evropian duhet të kërkojë falje.

“Nuk ka asnjë provë të kushedi sa hetimeve që ka pasur trafik të organeve njerëzore nga udhëheqja e kësaj ushtrie që në fakt ka qenë viktimë e një sulmi. Askush nuk duhet të përpiqet ta përshtjellojë në mënyrë tjetër. Kjo ka të bëjë me një faqe turpi të KE dhe KE duhet të gjejë kurajon të dalë përballë dhe të thotë na falni”, tha Rama.

Ish-krerë e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Rama tha se historia e trafikimit të organeve është nisur nga Rusia e cila nuk është e bazuar në fakte.

“Ka një dallim mes meje dhe zotërisë. Unë nuk ngre akuza pa fakte. Ndaj nuk kam thënë asnjëherë që ka qenë i manipuluar sistemi nga Rusia. Nuk do ta thoja sepse sot nuk e di nëse ishte apo jo Rusia pjesë e kësaj loje. Por është një histori e trafikimit të organeve që u nis nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër. Dhe nga zëdhënësa rusë prandaj çfarë thashë dhe çfarë mund të them sërish është se duke parë akuzat nuk ka asnjë, fakte zero apo qoftë edhe dyshime mbi trafikimin e organeve”.

Tutje, ai tha që është e pamundur të akuzohet një popull i cili ka bërë aq shumë përpjekje përkundër një makinerie të spastrimit etnik.

Lexo edhe:
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisin zyrtarisht negociatat me BE-në

Ish-anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty ka bërë një raport mbi ato që ai i quan krime të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas këtij raporti, një rrjet i drejtuar nga Thaçi dhe liderë të tjerë të UÇK është përfshirë në trafikimin e heroinës, armëve dhe organeve njerëzore pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999. Madje Marty arrinte deri aty se serbët thuhej se janë rrëmbyer dhe vrarë për t’u marrë organet./Shqip.com