Lajme

Rama: I kam dërguar Qeverisë dhe Kuvendit propozimin për vlerësimin e ri të pronave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se gjatë ditës i ka paraqitur propozimin e vlerësimit të ri të pronave, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, propozimet që iu janë dorëzuar, përfshijnë tri pika:

“1. Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.

2. Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë sipas pikës 1 të këtij propozimi ia mundëson Kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojë dhe të mbledhë tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.

3. E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që nga buxheti qendror të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023, në vlerë deri në 100 eurot e para të faturimit”, ka shkruar Rama.

Tutje, i pari i Komunës së Prishtinës duke falënderuar anëtarët e Kuvendit që kanë votuar pro propozimeve, ka theksuar se së shpejti propozimet do t’i dërgoj në Ministrinë e Financave, Kryeministrit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

/Shqip.com