Lajme

Rakiq: U dëshmua se pa Asociacion s’ka stabilizim të gjendjes

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se tensioni në veri pas reciprocitetit të targave “ka dëshmuar se formimi i Asociacionit është i domosdoshëm për stabilitet”, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai në një intervistë për portalin serb “Kosovo-Online”, duke thënë se po testohet kredibiliteti i Bashkimit Evropian.

“Tash më shumë se kurrë besueshmëria e BE-së po testohet, formimi i Asociacionit që ka pritur tetë vjet, është treguar më shumë se kurrë, se duhet bërë për të stabilizuar situatën dhe duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit”, ka thënë ai.

“Pa Asociacion nuk ka stabilitet dhe Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjes, e ka konfirmuar sërish se është obligim i Prishtinës që ta formojë Asociacionin”, shton Rakiq.

Ministri për komunitete dhe Kthim ka falënderuar qytetarët serbë në veri, për të cilët ka thënë se mos të ishte vendosmëria e tyre nuk do të vinte te marrëveshja për targa që u arrit në Bruksel të enjten.

Pika kufitare në Jarinje, serbët e grumbulluar për të protestuar kundër reciprocitetit të targave

Sipas marrëveshjes për targa, të shtunën janë larguar barrikadat dhe po ashtu është larguar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ndërsa KFOR-i është vendosur në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak për dy javë.

“Pres që marrëveshja të respektohet e qytetarët të mund të lëvizin lirshëm me automjetet e tyre e kjo situatë të mos përsëritet. Shpresoj që është fillimi i sjelljes më të përgjegjshme të Prishtinës dhe Bashkimit Evropian, që është garantues i Marrëveshjes së Brukselit”, tha Rakiq.

Po ashtu nga e hëna e 4 tetorit, fillon regjimi i vendosjes së tiketave ngjitëse te simbolet shtetërore në tabelat e automjeteve.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 30 shtator në Bruksel, janë caktuar grupe punuese për të gjetur një marrëveshje të përhershme për targat brenda gjashtë muajve. /Shqip.com