Ekonomi

Rafuna: S’dihet sa do të jetë rritja ekonomike, shumë të rijnë që ikën nga vendi ishin të punësuar

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna nuk ka parashikuar se sa do te jetë rritja ekonomike në Kosovë, edhe pse shumë nga institucionet e vendit e kanë bërë një gjë të tillë.

Guvernatorit i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa tha se “rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%”.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka parashikuar që deri në fund të këtij viti, rritja ekonomike për vendi tonë do të jetë nga 4.5 deri në 5.7 për qind.

“Mbetet për t’u parë për arsye se kemi shifra të ndryshme ose kemi parashikime të ndryshme na ana e Qeverisë, nga ana e Bankës Qendrore dhe nga ana e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë si dhe Bankës Botërore. Mbetet për tu parë deri në fund të vitit se cili do të jetë ajo rritja ekonomike me e saktë, prej këtyre institucioneve”, thotë Rafuna.

Lexo edhe:
Qeveria reagon pas deklaratës të BQK-së: Ka rritje ekonomike, Kurti u bazua në të dhënat e ASK-së

Ai po ashtu tha sipas një analize të tyre shumica e të rinjve që kanë ikur në vendet e BE-së kanë lënë vendin e punës në Kosovë.

“Ikja e të rinjve që po bëhet, se jo gjithë të rinjtë që janë duke shkuar në vendet e BE-së, janë persona të cilët nuk kanë pasur punë, do të thotë një pjesë e tyre kanë qenë të punësuar” thotë më tutje Rafuna.

Rafuna i ka bërë thirrje Qeverisë që tu dalë në ndihmë qytetarëve e bizneseve dhe të ndërmarrë masa për ta luftuar inflacioni.

/Shqip.com