Kulturë

Qytetari nga Prishtina i dhuron Muzeut Etnologjik eksponate të vjetra mbi 70 vjet

Agim Malazogu nga Prishtina, i ka dhuruar Muzeut Etnologjik 3 eksponate të familjes së tij.

Të ruajtura brez pas brezi në familje, ai ka dhuruar djepin e punuar në vitin 1952 të dekoruar me motive dhe ngjyra të ndryshme.

Kjo është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Muzeut Etnologjik.

“Agim Malazogu nga Prishtina, i ka dhuruar vullnetarisht 3 eksponate të familjes së tij Muzeut Etnologjik. Eksponatet e dhuruara janë ruajtur me fanatizëm nga ana e familjes deri në ditët e sotme. Përveç vlerave etnokulturore, artistike, ato paraqesin edhe historinë dhe kujtesën familjare të familjes Malazogu, pasi të tre eksponatet janë përdorur nga znj.Myzaqete Malazogu (nana e Agimit) e cila jeton në Prishtinë dhe është 92 vjeçare”, thuhet në njoftim.

Eksponatet tjera që Malazogu ka dhuruar janë edhe kusi dhe saxhak për larjen e teshave si dhe gjergjefi nga druri, për punimin e tekstileve.