Ekonomi Disa nga qytetarët thanë për Shqip.com se rekomandimi i KEDS-it që të bëjnë dush dy persona së bashku është i papërshtatshëm pasi ajo është çështje private.

Qytetarët pro kursimit, por kundër që të lahen së bashku

Ilustrim

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë – KEDS ka ripërsëritur alarmin se kosovarët do të përballen me mungesë të energjisë elektrike gjatë dimrit që po vjen.

Madje, si zgjidhje për të ulur shpenzimin rrymës, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, u rekomandoi qytetarëve që të lahen dy persona njëkohësisht.

Por kjo deklaratë e Buzhalës, është cilësuar e papërshtatshme nga qytetarët.

Shumë prej tyre kanë thënë për Shqip.com se kjo zgjidhje, i përket shekujve të mëhershëm dhe jo shekullit në të cilin po jetojmë.

“Kjo është diçka shumë pa lidhje dhe kjo nuk ka sens hiç. Nuk  e di këta njerëz çfarë memorie kanë, çfarë tru kanë dhe çfarë përgatitje shkollore kanë. Ne nuk po kthehemi në shekullin XII, por në shekullin XXI e njerëzit e paaftë nuk munden me bë zgjidhje e kështu ja imponojnë popullit zgjedhjet që ata mendojnë që janë të zgjidhshme por nuk është në rregull”.

Ndërsa një qytetar kërkoi të mendohen zgjidhje tjera.

“Nuk është vendim i përshtatshëm, nuk është një këshillë që duhet me u dhënë për persona. Nuk mendoj që është zgjedhje e mirë që dy persona me u shty me një pozitë të pakëndshme për dytë për me pas energji. Duhet me u gjetë një zgjidhje tjetër”.

E një tjetër e pa si diçka private, rekomandimin e KEDS-it.

“Çdo kursim është i mirë dhe është i domosdoshme në këtë mungesë të energjisë elektrike dhe duhet me përdor çdo mënyrë për me kursy sepse mundemi me mbete pa energji elektrike është edhe më keq. Rekomandimi për dy persona është krejt varësisht çka donë dhe është çështje private”.

Por qytetarët janë pro kursimit të energjisë elektrike.

“Mendoj që duhet me u kursy energjia elektrike e pavarësisht që se kemi kulturën e kursimit, duhet me kursy. Ajo është pa lidhje dhe nuk shkon ashtu me thënë mirëpo unë jam për kursim”.

Ideja gjeniale e Buzhalës po del të jetë e “huazuar”.

Këtë propozim e kishte thënë qysh në fillim të shtatorit, Simonetta Sommaruga, ministre përgjegjëse për Energjinë në Zvicër.

“Bëni dush në çifte në vend se ta bëni vetëm”, ka propozuar Sommaruga gjatë një interviste për mediumin zviceran, 20 minuten , e gjithë kjo me qëllim për ta zvogëluar konsumin e energjisë.

“Dush nga dy veta përnjëherë”, propozimi i Buzhalës kopje e Këshilltares Federale të Zvicrës – SHQIP.com

Forma të ndryshme të kursimit të energjisë janë duke u dhënë nga shumë vende të Evropës, pasi kontinenti pritet të përballet me mungesë të theksuar të energjisë në muajt e ftohtë të vitit.

Edhe Gjermania e cila njihet si shtet i fuqishëm, ka bërë thirrje që të gjitha pajisjet teknologjike të largohen nga rryma në rastet kur ato nuk përdoren.

Po ashtu, kanë bërë thirrje që qytetarët të bëjnë kujdes edhe gjatë ngrohjes së shtëpisë apo banesës së tyre./Shqip.com