Lajme

QKUK: Njëri nga të lënduarit nga aksidenti në Zhur në gjendje kritike për jetë

Klinika Emergjente e QKUK-së

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në Zhur të Prizrenit.

Njëri nga të lënduarit është në gjendje kritike për jetë.

Kështu ka bërë të dituar për SHQIP.com, shefi i Emergjencës, Gëzim Mustafa.

“ Dy pacientët që janë nga rasti i Zhurit janë shtruar tek ne. Njëri nga ta është me politraumë dhe i vendosur ne respirator në gjendje kritike. I Kemi kryer të gjitha ekzaminimet,  është në gjendje shumë të rëndë, po e thëmë prapë”.

Ai tha se i lënduari i dytë është jashtë rreziku për jetë dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“Personi i dytë ka lëndime të lëhta dhe është duke u trajtuar dhe besoj që mund të lirohet sot”, ka shtuar ai.

Në anën tjëtër, lidhur me këtë aksident, është arrestuar shoferi i kamionit, i cili tashmë është dërguar në ndalim policor.

Lexo edhe:
Arrestohet shoferi i kamionit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin me vdekje në Prizren

Rasti është konfirmuar për SHQIP.com nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti, e cila tha se i dyshuari, me inicialet B.K është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet që ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë vozitësin e kamionit, përkatësisht personin me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 370, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti.

Ndërsa, udhëheqësi i zyrës së operativës në policinë e Prizrenit, Azem Baraliu tha se aksidenti ka ndodhur kur njëra prej automjeteve ka dalë në shiritin e kundërt dhe janë goditur drejtpërdrejtë.

Sipas tij, viktima e aksidentit është pasagjeri i veturës./SHQIP.com