Lajme Kanceri tek femrat më së shumti paraqitet në gji, ndërsa tek meshkujt në mushkëri ka thënë për Shqip.com drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ardian Millaku

QKUK ka mungesë të citostatikëve për pacientët me kancer

Sh. Sh (emër i njohur për redaksinë) ka humbur babanë nga sëmundja e kancerit të veshkave në qershor të vitit 2021.

Sh.Sh thotë se për trajtimin e babait i është dashur që të siguronte medikamente jashtë vendit.

Siç thotë ajo, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së medikamenteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Kur e kemi zbuluar sëmundjen e babai ajo kishte avancuar në stadin e dytë dhe për trajtimin e tij është dashur që të sigurojmë imunoterapinë nga Turqia sepse nuk ka pasur në QKUK. Kurse, për trajtimin përveç imunoterapisë babai ka marrë edhe terapi mbështetëse të cilat është dashur që t’i blejë vet”, tha ajo për Shqip.com.

Ndërsa, në QKUK, ajo thotë se babai i saj ka marrë vetëm një medikament.

Si duket që nga viti i kaluar, në QKUK gjendja ka ndryshuar sa i përket furnizimit me medikamente për trajtimin e kancerit.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, ka thënë se vetëm disa nga medikamentet mungojnë aty.

“Në Klinikën e Onkologjisë, herë pas here ka mungesa të vetëm disa citostatikëve”, tha Millaku.

Por, pa treguar se prej sa kohësh përballën pacientët me mungesë të tyre, Millaku nuk ka dhënë një datë se kur pritet të furnizohen.

Citostatikët përbëjnë një grup prej 58 llojesh, e të cilët përdoren për shërim të kancerit.

Ilustrim

QKUK: 661 raste të reja në pesë mujorin e parë të vitit 2022

Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2022, në Klinikën e Onkologjisë janë diagnostikuar me kancer 661 persona.

Millaku thotë se nga viti në vit shënohet një rritje e lehtë e rasteve me kancer.

Kanceri tek femrat më së shpeshti paraqitet ai i gjirit, kurse tek meshkujt në mushkëri.

Ilustrim

“Kanceri më i shpeshtë tek femrat është ai i gjirit ku janë shënuar 167 raste të reja në pesë mujorin e parë të vitit 2022. Kurse, tek meshkujt është kanceri i mushkërive me 65 raste të reja gjatë kësaj periudhe”. tha Millaku.

Ai tregon se trajtimi varet nga gjendja e përgjithshme e pacientit dhe stadi i sëmundjes.

Tutje, ai tha se gjendja psikologjike dhe emocionale ndikon indirekt në ecurinë e trajtimit të personave me kancer./Shqip.com