Lajme

Qeveria s’ka të dhëna se sa qytetarë do të preken nga rivendosja e bllok-tarifave, subvencionimi prej 75 milionë euro vetëm deri në dhjetor

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se dikasteri që ajo udhëheqë nuk ka të dhëna sa i përket numrit të konsumatorëve që preken nga rivendosja e bllok-tarifave.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka thënë se për këtë çështje do të kërkojnë sqarime shtesë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Sa i përket numrit të konsumatorëve që preken nga vendosja e bllok-tarifave do të kërkojmë informata nga ZRrE-ja. Sipas disa informatave, 70 për qind nuk preken, por janë shifra që ne si qeveri nuk i kemi dhe do të kërkojmë sqarime shtesë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, sa i përket subvencionimit me 75 milionë euro për energji elektrike për qytetarët dhe bizneset, Rizvanolli ka bërë të ditur se është i paraparë të mbulojë periudhën deri në fund të vitit.

Mes tjerash, ministrja ka theksuar se propozimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës nuk është final.

Ka thënë se do të kërkojnë sqarime shtesë dhe do të japin propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Propozimi i ZRrE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë”./SHQIP.com