Lajme

Qeveria merr vendim që Rizvanolli të autorizohet nga Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Kjo është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

“Vendimi miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë,  është përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”.

Tutje në njoftimin e Qeverisë thuhet se objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë si dhe punësimit të grave në këtë fushë.

Kabineti i Qeverisë së Albin Kurtit, salla e mbledhjeve.

Lexo edhe:

Kurti: 236.7 milionë dollarët e MCC-së investimi më i madhi në energji

Bordi i drejtorëve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) para pesë ditësh kanë aprovuar Programin Kompakt të Kosovës me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

Lidhur më këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky është investimi më i madh ndonjëherë në sektorin e energjisë.

Lexo edhe:

Osmani: Projekti i miratuar nga MCC-ja do të ndihmoj fuqinë punëtore dhe sistemin e energjisë elastike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se miratimi i projektit kompakt nga MCC do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi energjie elastike.

Krahas energjisë elastike, Osmani ka thënë se kjo marrëveshje kompakte do të ndikojë edhe fuqinë punëtore profesionale./Shqip.com