Qeveria ia jep “dritën e gjelbër” marrëveshjes 236 milionë dollarëshe me SHBA-në
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Ky projekt kap vlerën prej 236.7 milionë dollarësh.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e 90-të të Qeverisë.
Po ashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2022 si dhe Raportin vjetor financiar të rishikuar për vitin 2021.
Gjithashtu, është marrë miratimi i kabinetit qeveritar lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
Kësaj pakoje i është shtuar skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro.
Ndërkohë, më 27 korrik, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.
Këtë marrëveshje pritet ta nënshkruaj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo pasi, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)./Shqip.com