Lajme

Putin: Ndajmë dhimbjen me nënat e ushtarëve rusë në Ukrainë

“Ne ndajmë dhimbjen tuaj,” i tha presidenti rus, Vladimir Putin një grupi nënash të ushtarëve rusë që kanë luftuar – dhe disa prej të cilëve janë vrarë – në Ukrainë.

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali”, tha ai në fjalën e tij hyrëse, para se të priten pamjet në televizionin shtetëror.

Në të gjithë Rusinë, grupet e nënave të ushtarëve në shërbim janë ankuar hapur se djemtë e tyre po dërgohen në betejë të trajnuar dobët dhe pa armë dhe veshje adekuate, veçanërisht me fillimin e dimrit.

Disa kanë akuzuar gjithashtu ushtrinë ruse se i ka kthyer ata të mobilizuar me forcë në “ushqim topash”, pas një vargu humbjesh të rënda ushtarake në muajt e fundit.

Në një pranim të rrallë, Kremlini tha në shtator se ishin bërë gabime në përpjekjen e tij për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë, raporton BBC.

Në fillim të këtij muaji, Mark Milley, gjenerali më i lartë amerikan, vlerësoi se rreth 100 mijë ushtarë rusë dhe 100 mijë ukrainas ishin vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Në takimin e së premtes në rezidencën e tij shtetërore pranë Moskës, Putin u shfaq i ulur në një tavolinë të madhe me një grup prej 17 nënash. Disa prej tyre mbanin shami të errëta – një simbol i zisë.

“Dua ta dini se unë personalisht dhe gjithë lidershipi i vendit e ndajmë këtë dhimbje”, tha presidenti.

/Shqip.com