Lajme Botë

Putin dhe Erdogan do takohen për të diskutuar mbi eksportin e grurit ukrainas

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan & Presidentit rus, Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan do të takohen të martën në Teheran për të diskutuar mbi eksportin e grurit ukrainas.

Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara pritet të nënshkruajnë një marrëveshje gjatë kësaj jave, e cila synon rifillimin e dërgesave detare të grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas vendimit të Rusisë për të dërguar forcat e saj të armatosura në Ukrainë, në muajin shkurt.

Putinit dhe Erdoganit do t’i bashkohet të martën edhe presidenti iranian Ebrahim Raisi për të diskutuar krizën në Siri, ku të tri shtetet janë të përfshira në operacione ushtarake, raporton Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën, më 11 korrik, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të zgjerojë autorizimin për kalimin e kufirit për dërgesat humanitare brenda Sirisë.

Kjo kërkesë e Erdoganit vjen teksa diplomatët po tentojnë që të gjejnë zgjidhje që do të mund të shmangte veton ruse dhe do të mundësonte vazhdimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Siri./Shqip.com