Lajme

PSD-ja dorëzon “në Kryeministri” peticionet e vjetra të VV-së përmes të cilave kundërshtoheshin marrëveshjet Kosovë – Serbi

Dardan Molliqaj kryetar i PSD-së

Partia Socialdemokrate (PSD) ka dorëzuar qindra peticione që i kundërshtonte Lëvizja Vetëvendosje marrëveshjet e vitit 2015.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Kurti i ka ndërruar qëndrimet, ndryshe në opozitë e ndryshe në pushtet.

“Përveç që kanë mbi 205 mijë qytetarë që e kanë kundërshtuar, qeveria e Kosovës nuk i ka pyet qytetarët dhe nuk ka marr mandat për me nënshkrua një marrëveshje të tillë. Ajo që është interesante, në fund të njërës prej kësaj fletave, nënshkrues edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Siç mund ta shihni me datën 18.09.2015, Albin Kurti e nënshkruan këtë tekst, pra nuk mund të jenë dy Kurta, edhe ai i cili e nënshkruan kundërshtimin edhe ai i cili e zbaton këtë marrëveshje. Kritika jonë nuk është që Albini i ka ndërru fjalët, kritika jonë është që Albini po e bënë një marrëveshje të dëmshme”, tha Molliqaj.

Aksioni i PSD-së para ndërtesës së Qeverisë

Molliqaj tha se duhet të ketë marrëveshje gjithpërfshirëse “e përfundimtare dhe nuk i konservon ndarjet etnike”.

“Ne nuk besojmë që zgjidhjet e problemit mes Kosovës dhe Serbisë janë zgjidhjet etnike. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për një marrëveshje e cila është gjithëpërfshirëse e përfundimtare dhe nuk i konservon ndarjet etnike. Besoj që kurrë më shumë se sot Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se s’ka mandat me bë marrëveshje etnike në Kosovë dhe po ashtu i ka mbi 205 mijë qytetarë në mesin e tyre edhe veten që e kanë nënshkruar”, tha tutje Molliqaj.

Theksojmë se marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës.

Lexo edhe:
Arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energji elektrike

Marrëveshja përmban 9 pika.

Por çka thuhet në këto 9 pikat e marrëveshjes të nënshkruar para pak minutave nga Kosova dhe Serbia në Bruksel.

Në pikën numër 1 thuhet se ZRRE do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever. ZRRE do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Në pikën numër dy të marrëveshjes thuhet se brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

Në pikën numër tre thuhet se Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimin e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.

Në pikën numër katër thuhet se brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektrosever do të marrë një Kod Identifikimi të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga licenca e furnizimit.

Në pikën numër pestë thuhet se në përputhje me Art. 14 të Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2015, brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nënstacionin në Valaè/Vallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes.

Në pikën numër gjashtë thuhet se brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit dhe shpenzimet e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, ZRRE do t’i aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje thuhet në pikën e 7-të.

Në pikën e 8-të thuhet se në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtyre konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë furnizimin licenca e dhënë Elektrosever, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët.

Ndërsa në pikën e fundit thuhet se zbatimi i udhërrëfyesit është pa pasoja për palët./Shqip.com