Provat e reja të kurimit të Alzheimerit, mund t’i ndihmojnë 36 milionë pacientëve në mbarë botën

Trajtimet e reja të Alzheimerit përmes të cilave po mundësohet heqja e proteinave toksike nga truri, kanë ringjallur interesin e ekspertëve për vaksinat, për të trajtuar sëmundjen që po e grabit kujtesën, duke ofruar potencialisht një opsion më të lirë dhe të lehtë për t’u administruar për miliona njerëz.
Provat klinike janë duke u zhvilluar ose përfunduar për të paktën shtatë vaksina të Alzheimerit të dizajnuara për të shfrytëzuar sistemin imunitar për të çliruar trurin nga proteinat e lidhura me sëmundjen beta amyloid ose tau.
Interesi i ri për vaksinat e Alzheimerit pason një përpjekje të parë premtuese pas më shumë se 20 vjetësh, e cila edhe u anulua pasi 6% e vullnetarëve të përfshirë në studim zhvilluan inflamacion të trurit kërcënues për jetën, i njohur si meningoencefaliti.
Hulumtuesit më pas iu drejtuan një rruge më të sigurt, duke injektuar antitrupa të krijuar nga njeriu, te pacientët që anashkalojnë makinerinë imune të trupit.
Shkencëtarët tani e kuptojnë se çfarë shkoi keq me vaksinën e parë dhe po testojnë vaksina që shpresojnë se do të provokojnë një përgjigje imune pa shkaktuar inflamacion të tepërt.
Dr. Reisa Sperling, studiuese e Alzheimerit në Mass General Brigham në Boston, tha se ajo beson se vaksinat do të luajnë një rol të rëndësishëm, pasi studiuesit kërkojnë të parandalojnë Alzheimer-in.
Vaksinat e Alzheimerit janë ende në fazat e hershme dhe do të kërkojnë prova të mëdha dhe shumëvjeçare për të treguar se ato funksionojnë.
Megjithatë, një vaksinë e dhënë çdo tremujor ose dy herë në vit, mund të ofrojë një lehtësim nga infuzionet e shtrenjta dy herë në muaj, duke zgjeruar aksesin tek 39 milionë njerëzve të vlerësuar globalisht me Alzheimer.
/Shqip.com